REPUBLIKA TURKE E QIPROS SË VERIUT PROMOVON TURIZMIN NË SUEDI

Autoritetet e Republikës Turke të Qipros së Veriut, vend ky prej një viti me përfaqësi zyrtare në Suedi, u shpjeguan suedezëve potencialin turistik të vendit të tyre.

Republika Turke e Qipros së Veriut promovon turizmin në Suedi
Postuar më 02.11.2012 15:39:24 UTC
Përditësuar më 02.11.2012 15:48:45 UTC

Pjesëmarrës në takimin promovues, që u organizua në kryeqytetin Stokholm të Suedisë, ishin operatorë turizmi nga Suedia dhe RTQV-ja, ambasadorja e Turqisë në Stokholm, Zergyn Korutyrk, përfaqësuesja turkoqipriote në këtë vend, Damla Gyçly, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit, Mjedisit dhe Kulturës së RTQV-së, Shahap Ashëkollu dhe gazetarë.

Presidentja e Unionit të Hotelierëve Turq të Qipros, Ajshe Donmezer, e cila në këtë takim mbajti një fjalim për promovimin e potencialit turistik të RTQV-së, tha se turistët, që dëshirojnë t'i kalojnë pushimet në Qipron e Veriut, shkojnë në vendin e tyre duke përdorur Aeroportin Erxhan me ndalesë në Stamboll, ose duke kaluar zonën tampon pasi i kanë zbritur avionit në qytetin Larnaka të pjesës grekoqipriote.

Donmezer dha informacione edhe mbi numrin e turistëve suedezë, që kanë vizituar RTQV-në gjatë periudhës janar-shtator 2012. Ajo njoftoi se në këtë hark kohor vendin e saj e kanë vizituar gjithsej 12.430 qytetarë suedezë, 1.266 prej të cilëve kanë hyrë nga Aeroporti Erxhan, ndërsa 11.164 të tjerët nga Larnaka.

Ajshe Donmezer sqaroi se kjo është hera e parë që organizojnë në vendet skandinave një seri takimesh promovuse për potencialin turistik të Republikës Turke të Qipros së Veriut.

"Përpara se të vinim në Suedi, mbledhje të ngjashme organizuam në Danimarkë dhe Norvegji, tani radhën e ka kryeqyteti Helsinki i Finlandës", tha ajo.

Krahas hoteleve, gjatë takimit u promovuan gjithashtu bukuritë dhe pasuritë historiko-natyrore, fushat e golfit, llojet e kuzhinave dhe plazhet e shumëllojshme në RTQV.